Garancitë për kërkuesit e ndaluar
1. Kërkuesi do të ndalohet vetëm për një periudhë sa më të shkurtër të jetë e mundur dhe do të mbahet i ndaluar vetëm për aq kohë sa arsyet e përcaktuara në Nenin 8 (3) janë të zbatueshme.
Procedurat administrative relevante për bazat e ndalimit, ashtu siç përcaktohen në Nenin 8(3), duhet të kryhen me kujdesin e duhur. Vonesat në procedurat administrative që nuk mund t'i atribuohet kërkuesit nuk do të justifikojnë vazhdimin e ndalimit.
2. Ndalimi i kërkuesve do të urdhërohet me shkrim nga autoritetet gjyqësore ose administrative. Në urdhrin e ndalimit do të përmenden arsyet faktike dhe ligjore, mbi të cilat bazohet.
3. Kur autoritetet administrative urdhërojnë ndalimin, Shtetet Anëtare do të sigurojnë që shqyrtimi gjyqësor i ligjshmërisë së ndalimit do të kryhet shpejt sipas detyrës zyrtare dhe/ose me kërkesë të kërkuesit. Në qoftë se kryhet sipas detyrës zyrtare, vendimi për një shqyrtim të tillë do të merret në sa më shpejt të jetë e mundur që nga fillimi i ndalimit. Në qoftë se kryhet me kërkesë të kërkuesit, vendimi do të merret sa më shpejt të jetë e mundur pas fillimit të procedurës relevante. Me këtë qëllim, Shtetet Anëtare do të përcaktojnë në ligjin kombëtar afatin për kryerjen e shqyrtimit gjyqësor sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të kërkuesit.
Në qoftë se, si pasojë e shqyrtimit gjyqësor, ndalimi konsiderohet i paligjshëm, kërkuesi në fjalë duhet liruar menjëherë.
4. Kërkuesit e ndaluar do të informohen menjëherë me shkrim, në një gjuhë që ata e kuptojnë ose supozohet në mënyrë të arsyeshme që e kuptojnë, për arsyet e ndalimit, si edhe për procedurat e përcaktuara në ligjin kombëtar për të sfiduar urdhrin e nadalimit dhe mundësinë për të kërkuar ndihmë dhe përfaqësim juridik pa pagesë.
5. Ndalimi do të shqyrtohet nga një autoritet gjyqësor në intervale kohore të arsyeshme, sipas detyrës zyrtare dhe/ose me kërkesë të kërkuesit të interesuar, sidomos në rast që ndalimi ka zgjatur shumë, rrethana relevante janë paraqitur ose informacion i ri është i disponueshëm, i cili mund të ndikojë në ligjshmërinë e ndalimit.
6. Në rastet e shqyrtimit gjyqësor të urdhrit të ndalimit që parashikohen në paragrafin 3, Shtetet Anëtare do të sigurojnë që kërkuesi ka qasje në ndihmë dhe përfaqësim juridik pa pagesë. Kjo do të përfshijë, së paku, përgatitjen e dokumenteve procedurale të nevojshme dhe pjesëmarrjen në seanca para autoriteteve gjyqësore në emër të kërkuesit.
Ndihma dhe përfaqësimi juridik pa pagesë do të sigurohen nga persona të kualifikuar, ashtu siç pranohet ose lejohet në pajtim me ligjin kombëtar, të cilët nuk kanë interesa dhe nuk mund të kenë interesa në kundërshtim me interesat e kërkuesit.
7. Gjithashtu, Shtetet Anëtare mund të parashikojnë që ndihma dhe përfaqësimi juridik pa pagesë do të ofrohet:
(a) vetëm atyre që nuk kanë burime të mjaftueshme; dhe/ose
(b) vetëm përmes shërbimeve të ofruara nga këshilltarë ligjorë ose këshilltarë të tjerë shprehimisht të përcaktuar në ligjin kombëtar për të ndihmuar dhe përfaqësuar kërkuesit.
8. Gjithashtu, Shtetet Anëtare mund:
(a) të imponojë kufizime financiare dhe/ose kohore për ofrimin e ndihmës dhe përfaqësimit juridik pa pagesë, me kusht që kufizimet e tilla nuk kufizojnë arbitrarisht qasjen në ndihmën dhe përfaqësimin juridik;
(b) të sigurojë që, për sa u përket tarifave dhe kostove të tjera, trajtimi i kërkuesve nuk do të jetë më i favorshëm sese trajtimi që u jepet, në përgjithësi, shtetasve të vet në çështje që kanë të bëjnë me ndihmën ligjore.
9. Shtetet Anëtare mund të kërkojnë që kostot e paguara të rimbursohen tërësisht ose pjesërisht, kur gjendja financiare e kërkuesit do të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme ose në qoftë se vendimi për pagimin e kostove është marrë në bazë të informacionit të rremë të ofruar nga kërkuesi.
10. Procedurat për qasjen në ndihmë dhe përfaqësim juridik do të përcaktohen në ligjin kombëtar.