Ka kërkues që mund të kenë nevojë për garanci procedurale të veçanta, ndër të tjera, për shkak të moshës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, paaftësisë, sëmundjes serioze ose çrregullimeve të tyre mendore, ose si pasojë e torturës, përdhunimit ose formave të rënda të tjera të dhunës psikologjike, fizike apo seksuale. Shtetet Anëtare do të përpiqen të identifikojnë kërkuesit që kanë nevojë për garanci procedurale të veçanta para marrjes së një vendimi të shkallës së parë. Këta kërkues duhet të përfitojnë nga mbështetje e përshtatshme, duke përfshirë kohë të mjaftueshme, në mënyrë që të krijohen kushtet e nevojshme për qasjen e tyre të efektshme në procedura, si edhe për paraqitjen e elementeve të nevojshme për të mbështetur kërkesën e tyre për mbrojtje ndërkombëtare.